Kriza e brendshme në Partinë Demokratike sa vjen e përshkallëzohet, dhe këtë herë në epiqendër të akuzave është vetë kreu historik i saj, Sali Berisha. Një ndër kandidatët për deputete të kësaj force politike, Ilirjana Kuçana, ka lëshuar akuza të forta publike që vënë në dyshim integritetin e procesit të numërimit të votave, dhe indirekt godasin drejt në zemër strukturat drejtuese të PD-së dhe vetë lidershipin e saj aktual.
E ftuar në emisionin “Now” me Greta Topjanën në Euronews Albania, Kuçana tregoi hapur se është ndër kandidatet që ka kërkuar rinumërimin e votave të kandidatëve për deputetë brenda PD-së, pasi dyshon seriozisht për manipulim dhe tjetërsim votash. Ajo deklaroi se në një nga zonat elektorale ku kishte pasur ndikim të fortë dhe mbështetje nga familja dhe rrethi i ngushtë, votat e saj rezultonin ose të zhdukura ose të transferuara në mënyrë të dyshimtë tek emra të tjerë, të preferuar nga strukturat e partisë.
“Ka një zonë ku mua nuk më dalin votat e familjarëve të mi. Ky ka qenë shkëndija e parë e dyshimit. Si është e mundur që njerëzit e mi më të afërt nuk më kanë votuar?! E di kush i ka marrë ato vota – kandidatë të caktuar që kanë pasur mbështetje nga lart. Kam qenë vetë e pranishme në numërim, dhe kam parë me sytë e mi sesi 5 vota kaluan nga emri im në emrin e një kandidati tjetër,” – deklaroi ajo me tone të forta, duke lënë të kuptohet se procesi është manipuluar me qëllim për të favorizuar figura të afërta me kreun e PD-së, Sali Berisha....
Edhe pse ajo nuk përmendi drejtpërdrejt emrin e Berishës, çdo analizë e sinqertë politike nuk mund të shpërfillë faktin që Berisha është njeriu që kontrollon çdo qelizë të strukturës së PD-së, përfshirë edhe Komisionin e Organizimit dhe Renditjes së Kandidatëve. Pra, nëse ka ndodhur manipulim, përgjegjësia politike dhe morale bie drejtpërdrejt mbi të.
“Ky nuk është një vendim që e kam marrë për vete. E kam marrë për qytetarët e Durrësit, sepse ata më kanë thënë se më kanë votuar. E vërteta mund të jetë e hidhur, por duhet të dalë në pah. Pas transparencës, të gjithë do të kuptojnë se ne po bëjmë një nder të madh,” – tha Kuçana, duke nënvizuar se ndjesia e padrejtësisë nuk është vetëm personale, por edhe kolektive.
Ajo nënkuptoi se brenda strukturës së PD-së ekziston një dorë që manipulon rezultatet për të favorizuar njerëz të zgjedhur dhe të besuar nga kupola, ndërkohë që kandidatët e pavarur ose të mbështetur nga baza elektorale margjinalizohen me mekanizma të errët. Kjo nuk është më thjesht një pakënaqësi brenda një partie, por një krizë serioze legjitimiteti që ngre pyetje të forta për të ardhmen demokratike të vetë Partisë Demokratike.
Deklaratat e Ilirjana Kuçanës vijnë në një moment ku Sali Berisha ndodhet nën presion të madh publik dhe ligjor, me masa sigurie aktive dhe akuzat e SPAK mbi kokë. Në këtë kontekst, çdo akuzë për manipulim të brendshëm votash nuk mund të shihet thjesht si një incident teknik, por si një simptomë e një partie që nuk i reziston më dot as fasadës së demokracisë së brendshme.
Nëse rinumërimi i votave konfirmon vjedhjen që pretendon Kuçana, atëherë kjo mund të jetë një goditje fatale për kredibilitetin e PD-së dhe të vetë Berishës – një lider që e ka përdorur gjithmonë retorikën e votës së lirë si mburojë politike, por që sipas këtyre zhvillimeve, duket se po fundoset nga manipulimi i saj!