Deputetja aktuale e PD, por që u tërhoq dhe nuk mori pjesë në zgjedhjet e 11 Majit, Ilda Dhori thotë se është e shokuar me këtë rezultat të opozitës.
”Ne nuk mund të presim që Edi Rama mund të dorëzojë apo të falë pushtet, pa përdorur këto armë që pushteti ia siguron atij që është në pushtet, por mund të them që nëse vullneti ose fryma do të ishte shumë e fortë, qytetarët do të ishin të lirë, do të kishin votuar pa asnjë lloj hezitimi për PD”, tha Dhori.
Nga ana tjetër, ajo bëri thirrje për një lidership të rinovuar, duke lënë të kuptohet se thirrja e saj shkonte për drejtuesin politik të qarkut të Fierit, Gazment Bardhi dhe për kreun e PD-së, Sali Berisha.
”Unë mendoj që secili bën reflektimin e vet, nëse do të ketë ndërgjegje. Edhe pse kjo pjesë në politikë nuk është e zakonshme. Unë nuk mund të vë gishtin në një person. Ajo që unë di të them dhe e kam theksuar edhe më parë, unë kam qenë dhe kam kritikuar dhe lidershipin e PD-së. Nuk hyj sot te ata njerëz që të bërtas me të madhe e të them se Sali Berisha duhet të iki e zgjidhet gjëja. Një lidership i rinovuar i PD-së do të ishte shumë konkurrues”, tha Dhori!