Ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, ka bërë thirrje që vendet myslimane të veprojnë të bashkuara për të kundërshtuar planin e Izraelit për marrjen nën kontroll të Qytetit të Gazës. Kjo deklaratë u bë pas bisedimeve me homologun e tij egjiptian, Badr Abdelatty, dhe presidentin e Egjiptit, Abdel Fattah al-Sisi.

Ankaraja e ka cilësuar planin e Izraelit si një fazë të re në atë që e quan politikë “gjenocidale dhe ekspansioniste”, duke kërkuar masa globale për të ndaluar zbatimin e tij. Izraeli, nga ana e tij, i mohon këto akuza. Fidan theksoi se politika izraelite synon t’i detyrojë palestinezët të largohen nga tokat e tyre dhe të pushtojë përgjithmonë Gazën, duke shtuar se vendet nuk kanë më asnjë arsye për të mbështetur Izraelin.

Komuniteti ndërkombëtar dhe OKB-ja bëhen pjesë e debatit

Edhe Egjipti ka dënuar ashpër planin. Badr Abdelatty e cilësoi atë si “të papranueshëm”, duke theksuar se këto zhvillime janë “shumë të rrezikshme” jo vetëm për popullin palestinez, por edhe për të gjithë rajonin.

Organizata për Bashkëpunim Islamik (OIC) është thirrur në një mbledhje urgjente. Komiteti i saj Ministror publikoi një deklaratë ku e dënon planin si “një shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare” dhe paralajmëroi se do të “shkatërrojë çdo mundësi për paqe”. OIC u bëri thirrje fuqive botërore dhe Këshillit të Sigurimit të OKB-së që të ndërmarrin veprime urgjente për të ndaluar zbatimin e këtij plani.

Ndërkohë, Izraeli vazhdon të mbrojë pozicionin e tij, duke deklaruar se lufta do të përfundojë nëse Hamasi dorëzohet dhe se nuk ka për qëllim shkaktimin e një krize humanitare. Këto zhvillime vijnë në një kohë kur Egjipti, Katari dhe Shtetet e Bashkuara po punojnë si ndërmjetësues për arritjen e një armëpushimi!