Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, do të përballet për herë të parë me drejtësinë si i pandehur. Gjyqtarja Etleva Deda ka caktuar datën 29 shtator, në orën 12:00, për nisjen e shqyrtimit paraprak të dosjes, një proces që pritet të zbardhë detaje të reja rreth akuzave të ngritura nga SPAK.

Veliaj akuzohet për katër vepra të rënda penale:

  1. “Korrupsion pasiv”
  2. “Pastrim parash”
  3. “Fshehje e mosdeklarim i pasurisë”
  4. “Futje e sendeve të palejuara në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale”

Këto akuza janë rezultat i hetimeve të thelluara të SPAK-ut, të cilat çuan në vendosjen e tij në qeli më 10 shkurt. Sipas dosjes së SPAK, Veliaj dyshohet se, në bashkëpunim me 30 persona të tjerë, ka ndërmarrë skema korruptive dhe ka shfrytëzuar pozicionin e tij për të përfituar pasuri të paligjshme.

Në këtë dosje të gjerë, janë përfshirë edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, e cila ndodhet nën masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, dhe pesë biznesmenë.

Sipas njoftimit zyrtar të SPAK, hetimet kanë zbuluar se Veliaj ka krijuar pasuri të paluajtshme dhe automjete që nuk justifikohen me të ardhura të ligjshme!