
Të paktën shtatë persona janë vrarë dhe katër të tjerë janë plagosur në një sulm të rëndë të kryer nga një bandë kriminale në një sallë bilardoje në qytetin Santo Domingo de los Cachilas, në Ekuadorin perëndimor. Ngjarja ndodhi të premten në mbrëmje, dhe sipas policisë lokale, ky është sulmi i dytë i këtij lloji në më pak se një muaj në të njëjtin qytet, pas një tjetër masakre të ngjashme më 17 gusht.
Kolonel Olga Benavides shpjegoi se sulmi ishte pasojë e një “konflikti territorial” midis bandave rivale. Pamjet e publikuara nga mediat lokale tregojnë burra të armatosur me rroba të zeza, jelekë dhe helmeta që hyjnë në ambient dhe hapin zjarr pa pushim. Më vonë, automjeti i përdorur nga sulmuesit u gjet i djegur në një pjesë tjetër të qytetit.
Në raportin e policisë thuhet se një nga viktimat dhe dy nga të plagosurit kishin precedentë penalë për trafik droge, lidhje me grupe kriminale dhe vrasje.
Ekuadori po përballet me një rritje të paprecedentë të dhunës, të lidhur me zgjerimin e grupeve kriminale dhe karteleve të drogës meksikane e kolumbiane. Pavarësisht se presidenti Daniel Noboa shpalli “gjendjen e konfliktit të brendshëm të armatosur” në janar të 2024-ës, dhuna vazhdon të përshkallëzohet. Sipas të dhënave zyrtare, nga janari deri në korrik 2025 janë regjistruar më shumë se 5,500 vrasje, krahasuar me 3,697 në të njëjtën periudhë të vitit 2024!