Çështja e “21 Janarit” po merr një kthesë dramatike, pas deklaratës së kreut të SPAK, Altin Dumani, se dosja është prioritet absolut për Prokurorinë e Posaçme. Ky zhvillim ka nxitur reagime të forta, ndër të cilat një pranim i vonuar nga ish-kryeministri Sali Berisha se katër protestuesit u vranë nga armët e shtetit. Megjithatë, kjo deklaratë, e konsideruar si një përpjekje dëshpëruese për të relativizuar krimin, tregon se presioni i drejtësisë po bëhet gjithnjë e më i fortë.

Me një SPAK që po thellon hetimet, një Gjykatë të Strasburgut që kërkon llogari dhe një dëshmitar të ri, loja e shpëtimit për urdhëruesit e masakrës duket e pamundur. Ndërsa propaganda përpiqet të mbulojë të vërtetën, dëshmia e ish-oficerit të policisë, Sokrat Godaj, mund të jetë provë “bombë” që fundos përfundimisht ish-kryeministrin.

Dëshmia e ish-oficerit: Plani i eliminimit dhe lidhjet mes Gardës dhe SHIK-ut

Sokrat Godaj, një ish-oficer policie, ka deklaruar në dhjetor të 2024-ës në SPAK se ishte vetë objektiv i Gardës së Republikës më 21 janar 2011, pasi ishte shënjestruar paraprakisht për t’u vrarë gjatë protestës. Godaj, i mbijetuar i një atentati me snajper, tregon se pas plagosjes së rëndë, tentuan ta zhduknin sërish në spital, por ai arriti të mbijetonte duke ndërruar vendndodhje gjashtë herë.

Sipas dëshmisë së tij, të cituar edhe nga avokati Idajet Beqiri, kishte një plan të organizuar eliminimi, me urdhër politik dhe bashkëpunim mes strukturave të Gardës dhe ish-SHIK-ut. Beqiri zbuloi se kreu i SHIK-ut në Berat ishte vëllai i ish-komandantit të Gardës, Ndrea Prendi, dhe se ky i fundit ishte paralajmëruar për praninë e Godajt në protestë. Kjo dëshmi, e mbështetur me emra konkretë dhe skema komandimi, vërteton lidhjen direkte mes urdhëruesve politikë dhe ekzekutorëve.

Përgjegjësia e urdhëruesve dhe kërkesat e Gjykatës së Strasburgut

Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) e ka bërë të qartë se Shqipëria ka detyrim ligjor të identifikojë dhe të ndëshkojë ata që dhanë urdhrin për të shtënë mbi protestuesit paqësorë. Dëshmia e Sokrat Godajt, e bashkuar me provat e tjera, e bën dosjen e “21 Janarit” një nga betejat më të rëndësishme të drejtësisë shqiptare. Me çdo dëshmi të re dhe me çdo pranim të vonuar, drejtësia po i afrohet gjithnjë e më shumë atyre që urdhëruan masakrën, mbuluan krimin dhe shpëtuan vrasësit e protestuesve. Në qendër të kësaj stuhie hetimore qëndron një emër i vetëm: Sali Berisha.

Shënim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa fajësia e tij të vërtetohet me vendim gjyqësor të formës së prerë!!