
Shumë pensionistë janë surprizuar këtë janar, teksa pensioni i tyre nuk kishte pësuar ndryshim, edhe pse qeveria njoftoi se 2026 është viti i reformës së pensioneve.
Institucionet publike kanë artikuluar vetëm masën e rritjes për kategoritë përkatëse, por vendimi i zbardhur i qeverisë parashikon kufizim dhe përjashtime.
“E-Zonë” ka mësuar se si pasojë e këtyre kufizimeve dhe tavanëve të vendosur, rreth 75 mijë pensionistë nuk përfitojë asnjë lekë nga kompensimi.
Teuta Nunaj, eksperte e ekonomisë, gjatë një interviste për “Vizion Plus” sqaroi se edhe ata që përfitojnë, nëse janë pranë tavanëve të përcaktuar, do të marrin një shumë minimaliste.
“Për pensionin e pleqërisë të plotë urban, tavani ka qenë 40 mijë lekë. Kjo do të thotë se nëse masa e pensionit kalon këtë kufi, pensionisti nuk përfiton. Por edhe nëse masa e pensionit të plotë urban është 39 mije lekë, masa e kompensimit është vetëm 1000 lekë, pra nuk përfitohet i plotë 1800 lekë sikundër parashikon vendimi. E njëjta metodologji është zbatuar edhe për pensionet urbane të pjesshme, ku tavani ishte 22 mijë lekë i përcaktuar, për pensionet rurale dhe familjare tavani ka qenë 18 mijë lekë, ndërsa për personat e invaliditetit tavani ka qenë 30 mijë lekë. Kush e ka pensionin në këto kufij masa e rritjes do të jetë minimale dhe s’duhet t’i kalojë këto tavane”, tha Nunaj!!!