“Berisha në sulm: ‘Sot populli opozitar i bën gjyqin Ramës’ – PD thyen marrëveshjen me mazhorancën”


Berisha: Sot populli opozitar i bën gjyqin kryehajdutit të këtij kombi. Edi Rama, Niko Peleshi dhe Haram Begaj u vunë në rresht pas Lubisë për të mbrojtur vjedhjet e saj – Partia Demokratike e Shqipërisë

Tiranë – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se protesta e paralajmëruar për ditën e sotme do të jetë një moment vendimtar për vendin, duke e cilësuar atë si një “gjykim popullor” ndaj kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij.

Gjatë një konference për media, Berisha akuzoi kryeministrin për lidhje me krimin e organizuar, shkelje të Kushtetutës, cenim të votës së lirë dhe përkeqësim të gjendjes ekonomike, duke pretenduar se në 10 vitet e fundit mbi 1.1 milion shqiptarë janë larguar nga vendi drejt Europës.

Sipas tij, protesta nuk synon vetëm kryeministrin, por atë që e cilësoi si një “organizatë kriminale që ka kapur shtetin”, ndërsa theksoi se dita e nesërme përfaqëson një reagim qytetar kundër keqqeverisjes dhe humbjes së lirive demokratike.

Berisha u ndal edhe te vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese, të cilin e cilësoi si një nga ditët më të errëta për drejtësinë në vend, duke e akuzuar institucionin për vendime antikushtetuese dhe për shndërrim në instrument politik.

Në lidhje me zhvillimet parlamentare, kreu i PD deklaroi se opozita ka ndërprerë çdo bashkëpunim me mazhorancën, pas ndryshimeve të bëra nga kjo e fundit në rregullat e komisioneve të reformës territoriale dhe zgjedhore.

Ai njoftoi se Partia Demokratike dhe forcat opozitare do të krijojnë komisionet e tyre për reformën territoriale dhe atë zgjedhore, jashtë bashkëpunimit me qeverinë. Sipas Berishës, këto reforma do të hartohen nga deputetët e opozitës dhe do t’u prezantohen drejtpërdrejt qytetarëve dhe mediave.

“Me Edi Ramën nuk ka asnjë bashkëpunim, ka vetëm betejë,” deklaroi Berisha, duke theksuar se opozita synon, sipas tij, realizimin e asaj që e cilësoi si “reforma e vërtetë”.

Lideri demokrat, Sali Berisha u ndal edhe te zhvillimet e fundit në Gjykatën Kushtetuese, duke e cilësuar ditën e djeshme si një nga më të zezat në historinë e ligjit dhe drejtësisë. Ai akuzoi Edi Ramën, Niko Peleshin dhe Bajram Begajn se u rreshtuan publikisht për të mbrojtur korrupsionin dhe vjedhjet e qeverisë, duke ndërhyrë në mënyrë të paprecedentë kundër vendimeve të drejtësisë për pezullimin e një zëvendëskryeministreje të përfshirë në afera korruptive.

Sipas tij, Gjykata Kushtetuese mori një vendim të turpshëm dhe antikushtetues, duke shkelur kompetencat e gjykatave të tjera dhe duke u kthyer në një instrument politik. Berisha deklaroi se anëtarët e kësaj gjykate kanë humbur çdo dinjitet dhe janë shndërruar në avokatë të korrupsionit.

Kryetari i PD tha se të gjitha institucionet e shtetit janë kthyer në mburojë të korrupsionit dhe se shpresa e vetme për ndryshim mbeten qytetarët. Ai e përshkroi Shqipërinë si një “kakistokraci”, ku sundon më i keqi, dhe u bëri thirrje shqiptarëve për bashkim dhe guxim për përmbysjen e regjimit.

Berisha komentoi edhe zhvillimet ndërkombëtare, duke deklaruar se Edi Rama mbetet i padëshiruar në Europë dhe në botë, ndërsa hodhi poshtë pretendimet e tij për angazhime të rëndësishme ndërkombëtare, duke i cilësuar ato si mashtrime.

Në fund, Berisha deklaroi se Partia Demokratike ka ndërprerë çdo bashkëpunim me mazhorancën dhe se do të krijojë komisione opozitare për reformën territoriale dhe zgjedhore, të cilat do të hartohen jashtë kontrollit të qeverisë. “Me Edi Ramën nuk ka asnjë bashkëpunim, ka vetëm betejë,” përfundoi Berisha.

Dalja e plotë për media

Sot është prova e madhe, është dita e guximit, e revoltës, e zemërimit, e ngadhënjimit qytetar mbi të keqen më të madhe që ka mbërthyer Shqipërinë, që ka pllakosur këtë vend nga ditët e zeza të diktaturës hoxhiste gjer sot.

Sot qytetarët, populli opozitar i bën gjyqin kryehajdutit të këtij kombi.

I bën gjyqin kryeministrit të lidhur kokë e këmbë me vrasës, banditë, trafikantë.

I bën gjyqin antishqiptarit më të zi të kohërave që ka përzënë nga ky vend në 10 vite 1 milion e 100 mijë shqiptarë vetëm në hapësirën evropiane, pa llogaritur hapësira të tjera.

Sot i bën gjyqin një armiku të egër të lirive të shqiptarëve, të votës së tyre.

Një njeriu që qëndron në pushtet duke përdorur çdo mjet të paligjshëm, duke shkelmuar Kushtetutën.

Por sot është dita e gjykimit të popullit shqiptar për një organizatë kriminale që nuk e ka sot asnjë vend tjetër në Europë.

Dita e djeshme do të regjistrohet në muret e kohës si një nga ditët më të zeza të historisë së ligjit, Kushtetutës, drejtësisë në këtë vend.

Dje, para shqiptarëve, seriali i hajdutëve dhe kryehajdutëve, Edi Rama, Niko Peleshi, Haram Begaj, u paraqitën në pafytyrësi të plotë para prokurorëve që zbatonin ligjin në sallat e Gjykatës puçiste Kushtetuese.

U paraqitën për të kompletuar grushtin e tyre të shtetit.

Kurrë në histori të këtij vendi dhe asnjë vendi tjetër, nuk ka ndodhur që tre drejtuesit më kryesorë të rendin në Gjykatë Kushtetuese kundër vendimit të një gjykate dhe një prokurori për pezullimin e zëvendëskryeministres të kapur në flagrancë me një seri aferash korruptive, vjedhjesh monstruoze.

Nuk ka ndodhur.

Nuk ka ditë më të turpshme për atë gjykatë, për këto institucione turpi se dita e djeshme.

Edi Rama, Niko Peleshi dhe Haram Begaj u vunë në rresht pas Lubisë për të mbrojtur vjedhjet e saj, vetëm e vetëm për shkak të vjedhjeve të tyre, të cilat janë në ato proporcione sa i bën ata ta kenë të qartë se do kenë fatin e Lubisë.

Gjykata, në një vendim të turpshëm, të paimagjinueshëm, merr menjëherë në kundërshtim me ligjin, pushtetin e gjykatës së apelit dhe gjykatës së lartë në shqyrtimin e masave të sigurisë, në një kohë kur Kushtetuta, ligji thotë se ajo këtë të drejtë e ushtron pas këtyre gjykatave.

Por Irenat e Gjykatës Kushtetuese, më zi janë burrat aty se sa gratë, janë të afta të shkelin çdo kod, çdo nen të Kushtetutës, të shkruajnë Kushtetutën për urdhër politik.

Çfarë janë këta njerëz, do pyesni ju me të drejtë.

Janë këta njerëz injorantë dhe analfabetë?

Jo, absolutisht. Unë nga afër nuk i njoh, por jam i sigurt se janë njerëz të shkolluar. Mund të jenë shkolluar edhe jashtë.

Por si mundet këta të sillen në këtë mënyrë?

Ka vetëm një shkak. Këta njerëz nuk kanë dinjitet njerëzor.

Se në rast se do kishin minimumin e dinjitetit, nuk do i lejonin vetes të shndërroheshin në avokatë të një kriminele, që ka vjedhur bashkë me Edi Rama, qindra, mos miliarda euro.

Pa pasur asnjë tagër ligjor, përkundrazi duke shkelur ligjin dhe Kushtetutën.

Ndaj dhe dita e djeshme faktoi edhe njëherë të dashur qytetarë dhe qytetare se e vetmja shpresë e këtij vendi, e vetmja shpresë e këtij kombi, e vetmja shpresë e të rinjve dhe fëmijëve shqiptarë jeni ju.

Jemi në kilometrin e fundit.

Me guxim dhe besim, të vendosur të bëjmë çdo gjë për përmbysjen e këtij regjimi.

Nuk ka shok në botë, tëra institucionet bëhen mur korrupsioni. Katër, edhe gjykata me ta.

Institucionet më të larta të shtetit.

Të turpit.

Të kleptokracisë.

Të narkoshtetit.

Në të gjithë terminologjinë botërore të formave të shtetit, shtetit aktual të sotëm në Shqipëri i përshtatet më shumë se çdo gjë tjetër, shtet i kakistokracisë.

Nga greqishtja e lashtë, më i keqi.

Dhe ky është më i keqi.

Ndaj qytetarë, të bashkojmë forcat dhe t’u tregojmë vendin.

Bota po u tregon vendin këtyre në mënyrën më të vendosur.

Edi Rama, i cili tundi një ftesë që i erdhi Shqipërisë, nuk e gëzoi dot. Përkundrazi.

Mos guxo, nuk do të shoh surratin, ky ishte mesazhi.

Dhe vinte në parlament i shpërfytyruar.

E patë vetë ju qytetarë, shiheni prapë se si qëndronte i shpërfytyruar.

Në një kohë kur mblodhi parlamentin ku të firmoste, të thoshte se parlamenti ratifikoi.

Por boja iu tha në penë.

Mbeti siç është, i padëshiruar në Europë dhe në botë.

PYETJE PERGJIGJE ME GAZETARET:

Arsyeja se pse nuk ishte në Davos, Edi Rama tha në përlament faktin se, ishte mes dy zgjedhjeve, të shkonte në Davos, apo të priste vajzën e Donald Trump në Tiranë. Dhe zgjodhi me porosi, sipas tij, të Donald Trump të takonte vajzën. Keni një koment?

Sali Berisha: Besoj se asnjëri në botë nuk mund të besojë një mashtrim të tillë. Tani, që unë të them këtë, duhet të them që presidenti Amerikan, përdor vizitën e vajzës për të shpëtuar prej tij, mos ta ketë në zyrë.

Por kjo nuk mund të ndodhë kurrë.

Presidenti ka respektin më të madh për vajzën dhe familjen e tij dhe për Edi Ramën e kupton se, është një Ramaduro i vërtetë dhe absolutisht një aferë biznesi nuk ka asnjë lidhje me aktin madhor të themelimit të ‘Bordit të Paqes’, ku Edi Rama u ndalua.

Në atë sallë historike nuk mund të ishte. E tregoi ai, e tha sinqerisht, dy-tre prej nuk mund të jenë, nuk i honeps dot dhe nga këta 2-3, njëri është Rama, tjetrin e gjejmë më vonë.

Protestën e 22 Dhjetorit e quajtët si provë gjenerale për të rrëzuar qeverinë e Edi Ramës. Protestën e sotme si do ta konsideroni. Do rrëzohet qeveria apo do të ketë një protestë të 3-4-5…

Sali Berisha: Do ti japim mësimin që meriton qeverisë, kështu do ta cilësoj unë protestën, qytetarët do ti japin leksion të fortë qeverisë. Le të rrijë në zyrë ta provojë.

Kaq i them, rri aty. Muret i ke blinduar, dyert i ke plumbosur, rri e shko futu, rri në je burrë.

Ndërkohë që ju kërcënoni qeverinë për rrëzim me protesta, mazhoranca ditën e djeshme ka marrë një vendim për të ndryshuar rregullat e lojës tek komisioni i reformës territoriale. Tashmë nuk do të ketë bashkëkryetar sipas mazhorancës, por do të jetë një rikompozim të komisionit. E njëjta gjë do të ndodhë dhe në Komisionin e reformës zgjedhore, sipas porosisë së Ramës. Ju do të ktheheni në këto dy tryeza.

Sali Berisha: Ne kemi ndërprerë bashkëpunimin me narkomazhorancën, ne krijojmë komisionet e reformës territoriale me forcat opozitare dhe reformën zgjedhore me forcat opozitare.

Me media me të gjitha dhe ne krijojmë, paraqesim para shqiptarëve reformën tonë territoriale.

Pra do ta bëni reformën jashtë parlamentit?

Sali Berisha: Do bëjmë reformën e vërtetë. Janë deputetët tanë që do e bëjnë. Oerd Bylykbashi dhe Luçiano Boçi do të jenë ata që do të kryesojnë komisionet nga ana e PD, sepse do jetë bashkë me opozitën për reformën territoriale dhe reformën zgjedhore.

Pra në Komisionet që janë në parlament nuk do të shkoni më.

Sali Berisha: Me Edi Ramën nuk ka asnjë bashkëpunim, ka vetëm betejën!!!!

Previous Post Next Post