Varfëri, mjerim dhe vetmi e skajshme. Kështu përshkruhet historia prekëse e 71-vjeçares Liljana Kovaçi nga Elbasani, e cila prej vitesh po përballet e vetme me sëmundjen, mungesën e kushteve minimale dhe braktisjen nga fëmijët e saj.
E moshuara vuan nga disa probleme serioze shëndetësore dhe prej 13 vitesh është e shtrirë në shtrat, ndërsa muajt e fundit ka pësuar edhe paralizë totale të gjymtyrëve.
“Kam probleme shëndetësore prej vitesh. Jam rrëzuar nga tarraca dhe kam rënë me kokë. Jam shtruar disa herë në urgjencë, te neurologu”, tregon ajo.
Mes dhimbjes fizike dhe varfërisë ekstreme, Liljana apelon me lot në sy për ndihmë, vetëm që të mund të përmbushë nevojat më bazike për të jetuar.
“Jam paralizuar, nuk luaj as këmbë as duar. Kam gati dy muaj në këtë gjendje. Nuk kam kush të më bëjë hyzmet, kush të më japë një gotë ujë. Kam një muaj që as ha, as pi siç duhet”, shprehet ajo me zë të dridhur.
Sipas saj, vetëm një vakt ushqimor në ditë i sillet nga azili, ndërsa pjesën tjetër të ditës e kalon pa ngrënë. Edhe për të shkuar në tualet, 71-vjeçarja thotë se rrezikon të rrëzohet, pasi nuk ka askënd që ta ndihmojë.
“Kur jam rrëzuar, ka ardhur ambulanca dhe policia. Dyert i gjetën të mbyllura. Jam krejt e vetme”, rrëfen ajo.
Edhe pse ka tre fëmijë, Liljana thotë se prej 17 vitesh ata e kanë braktisur dhe nuk kanë asnjë kontakt me të.
“Kam tre fëmijë, dy djem dhe një vajzë. I vogli është 45 vjeç, u martua dhe iku në Itali. Kam 17 vjet që jam braktisur nga fëmijët, jam lënë në këtë kuzhinë”, thotë ajo.
Në shtëpinë përdhese ku jeton, lagështia është kudo. Nuk ka pothuajse asnjë orendi, frigoriferi është bosh dhe dollapët pa ushqime. Pamjet dhe rrëfimi i saj e bëjnë të pabesueshme që në vitin 2024, një e moshuar të jetojë në kushte kaq çnjerëzore.
Historia e Liljanës ka prekur opinionin publik dhe ngre edhe një herë alarmin për nevojën e kujdesit institucional dhe shoqëror ndaj të moshuarve të braktisur!!!