“Shitja e shtëpisë i solli qetësi: Gjebrea gjen terapi pas humbjes së nënës”


Ardit Gjebrea ka ndarë një nga rrëfimet më të ndjera dhe personale të tij, duke folur hapur për dhimbjen e madhe që përjetoi pas humbjes së nënës. Moderatori i njohur tregoi se kjo humbje e tronditi thellë emocionalisht, aq sa e çoi drejt një vendimi të vështirë, por të domosdoshëm për shëndetin e tij shpirtëror: shitjen e shtëpisë ku kishte jetuar me të ëmën.

Sipas Gjebreas, çdo mëngjes ishte një përballje e re me mungesën e saj.

“Unë e kam përjetuar vetë, sepse kam qenë shumë i lidhur me nënën time. Kur ikja në mëngjes nga shtëpia, ktheja kokën pas dhe kur ajo nuk ishte aty, e gjithë dita më shkonte në trishtim. Këtë gjendje e përjetova për një kohë të gjatë, derisa vendosa ta shes shtëpinë, sepse nuk po e përballoja dot më.”

Ai shpjegon se dhimbja ishte kthyer në një presion të vazhdueshëm emocional, që po ndikonte jo vetëm tek ai, por edhe në marrëdhëniet me familjen dhe jetën profesionale.

“Ishte një presion i jashtëzakonshëm që më trishtonte non stop dhe ndikonte në jetën time. I merrte më shumë se ç’duhej dashurisë së fëmijëve, të bashkëshortes, të punës, të gjithçkaje.”

“Sot jam më i qetë”

Pas këtij vendimi, Gjebrea thotë se ka arritur të gjejë një ekuilibër të ri emocional, pa e harruar kurrë nënën e tij.

“Tani jam shumë më i qetë. Kam përjetimet e mia, shkoj, e vizitoj, e mendoj shpesh, por u largova nga ajo gjendje që më rëndonte shumë.”

Në fund të rrëfimit, Ardit Gjebrea e përshkruan nënën dhe babanë e tij si engjëj mbrojtës, që vazhdojnë ta shoqërojnë në jetë, ndërsa vendimin për të shitur shtëpinë e quan një nga zgjedhjet më të mira që ka bërë ndonjëherë.

“Ajo është aty, është engjëlli që më mbron gjithmonë, bashkë me babanë tim. Mendoj se ishte një nga veprimet më të mira që bëra dhe do ua sugjeroja edhe juve.”

Rrëfimi i Gjebreas ka prekur mijëra ndjekës, të cilët e kanë vlerësuar për sinqeritetin, forcën dhe guximin për të folur hapur mbi dhimbjen, humbjen dhe mënyrat personale të shërimit!
Previous Post Next Post