Një bazë ushtarake italiane në qytetin Erbil, në rajonin e Kurdistanit irakian, është sulmuar me dron, duke shkaktuar dëme materiale, por fatmirësisht pa të lënduar.
Lajmi u konfirmua nga ministri i Jashtëm italian dhe zëvendëskryeministri Antonio Tajani, i cili përmes një postimi në rrjetin social X bëri të ditur se gjatë sulmit u shkatërrua një automjet ushtarak.
Sipas raportimeve të Reuters, në fillim u dyshua se bëhej fjalë për një sulm me raketa, por më vonë u konfirmua se baza ishte goditur nga një dron.
Tajani theksoi se i gjithë personeli ushtarak italian është i sigurt dhe ndodhet në strehimore, ndërsa dënoi sulmin ndaj bazës.
Ai shtoi gjithashtu se kishte kontaktuar ambasadorin italian në Irak, duke shprehur solidaritet dhe mirënjohje për ushtarët italianë që shërbejnë në misione ndërkombëtare.
Ndërkohë reagoi edhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni, e cila deklaroi se po ndjek nga afër zhvillimet dhe është në kontakt të vazhdueshëm me ministrat Tajani dhe Guido Crosetto për të monitoruar situatën.
“Në emër të qeverisë dhe personalisht, shpreh solidaritetin dhe mbështetjen time për ushtarët tanë, të cilët fatmirësisht nuk pësuan lëndime gjatë sulmit”, theksoi Meloni, duke shtuar se Italia është krenare për guximin dhe profesionalizmin e trupave të saj në misionet për paqe dhe siguri në zonat e krizës!!!