Bashkimi Evropian kërkon nga Shqipëria rritjen e kapaciteteve dhe koordinimin mes institucioneve për të menaxhuar migracionin dhe azilin në vend.
Shqipëria kohët e fundit po përballet me fluksin në rritje të emigrantëve ilegalë. Referuar statistikave përgjatë 2018-2023 janë regjistruar afro 44 mijë hyrje të parregullta, emigrantë kryesisht nga vendet e Lindjes së Mesme dhe nga Afrika e Veriut.
Me një buxhet prej 10 milionë eurosh të siguruar nga BE-ja, kjo nismë 4-vjeçare synon të mbështesë Shqipërinë në forcimin e sistemeve të saj të menaxhimit të migracionit dhe azilit, në përputhje me standardet e BE-së dhe ato ndërkombëtare.
Projekti “EU 4 Migration” do të mbështesë procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE dhe përafrimin me acquis të BE-së, duke kontribuar drejtpërdrejt në reformat për Kapitullin 24 –Drejtësi, Liri dhe Siguri. Shqipëria, ndërkohë, ka hartuar dhe strategjinë kombëtare për migracionin 2024–2030 që synon menaxhim më të lartë të kufijve, sistemeve të azilit dhe zgjidhjeve të qëndrueshme të migracionit!