Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka dhënë urdhër ushtrisë izraelite të intensifikojë sulmet ndaj Iranit pas hakmarrjes së Teheranit me raketa në orët e para të ditës së sotme. Deklarata e kryeministrit u bë publike përmes një postimi në llogarinë e tij në rrjetet sociale, duke reaguar ndaj sulmit me raketa iraniane që goditi disa lokacione në Tel Aviv dhe rrethinat e tij.
Netanyahu, në një ton kërcënues ndaj qeverisë iraniane, deklaroi se zyrtarët e Teheranit “do ta paguajnë çmimin” për veprimet e tyre. Paralelisht, Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yisrael Katz, gjithashtu lëshoi kërcënime të ngjashme nëpërmjet llogarisë së tij në rrjetet sociale. Katz e cilësoi sulmin e Iranit si “krim lufte” dhe pohoi se udhëheqësi suprem i Iranit, Ali Khamenei, “do ta paguajë çmimin” për këtë agresion. Ai njoftoi se së bashku me kryeministrin Netanyahu kanë urdhëruar ushtrinë izraelite të rrisë numrin dhe intensitetin e sulmeve ndaj Iranit....
Hakmarrja e Iranit me raketa ndaj Izraelit erdhi si përgjigje ndaj sulmeve të mëparshme izraelite. Pretendohet se në këtë sulm, raketat iraniane goditën drejtpërdrejt disa ndërtesa në Tel Aviv, Ramat Gan, Holon dhe në jug të qytetit të Beershebas, ku një raketë e destinuar për këtë të fundit raportohet të ketë rënë mbi spitalin “Soroka”.
Më 13 qershor, Izraeli nisi një ofensivë të gjerë ajrore duke synuar objektet bërthamore në qytete të ndryshme të Iranit dhe komandën e lartë ushtarake. Gjatë këtyre sulmeve, Shefi i Shtabit të Iranit, komandanti i përgjithshëm i Gardës Revolucionare, disa komandantë të lartë dhe 9 shkencëtarë bërthamorë u vranë, ndërsa numri total i viktimave civile nga sulmet izraelite u raportua të ishte 224.
Në hakmarrjen e ushtrisë iraniane me raketa balistike kundër Izraelit, raportohet se 24 persona u vranë dhe më shumë se 500 të tjerë u plagosën. Shumë vende, veçanërisht Turqia, kanë dënuar ashpër veprimet e Izraelit që çuan në këtë eskalim të dhu.nës. Situata mes dy vendeve mbetet tejet e tensionuar dhe e paqëndrueshme, me frikën e një konflikti më të gjerë rajonal në rritje!