Prej 1 qershorit ka nisur zbatimi i marrëveshjes për pensionet mes Shqipërisë dhe Italisë, e cila garanton të drejtat e pensioneve për rreth 500 mijë shqiptarëve dhe 4 mijë italianë.
Marrëveshja e cila u nënshkrua në Romë më 6 shkurt 2024, u finalizua me dokumentin përkatës që iu dorëzua Kryeministrit Rama në mesin e muajit maj nga homologia e tij italiane, Giorgia Meloni, gjatë vizitës së saj në Tiranë për samitin e Komunitetit Politik Europian.
Marrëveshja garanton një sërë mundësish për ata që kanë punuar në Itali dhe Shqipëri. Pjesë e saj janë ata që, për shkak të mosplotësimit të kushteve minimale për pension janë përjashtuar deri tani nga pagesa e tij. Kjo do të mundësojë përfitime për rreth 20% të personave mbi moshën 67 vjeç që kanë punuar në Itali, të cilët deri tani nuk janë trajtuar me pension, me mundësi për të marrë deri në 400 euro në muaj.
Përfituesit do të kenë mundësinë të marrin pensione nga Shqipëria dhe Italia në varësi të viteve të punës që kanë kryer në secilin vend.
● ÇFARË OFRON MARRËVESHJA
Nëse një qytetar që ka 13 vite punë në Itali, por ka vendosur të jetojë në Shqipëri, kërkesën për pension e bën në Shqipëri, në ISSH. E njëjta gjë edhe për një qytetar që jeton në Itali, bën kërkesë pranë autoriteteve italiane dhe autoritetet shqiptare do e konsiderojmë të njëjtë si të ishte bërë në Tiranë. Buxheti për realizimin e kësaj marrëveshjeje është parashikuar të nisë me 7,6 milionë euro për vitin e parë dhe të arrijë në 20,3 milionë euro në fund të periudhës së planifikimit!