Sulmi ajror i Izraelit ndaj udhëheqësve të Hamasit në Katar ka ngritur alarmin në Turqi, e cila frikësohet se mund të jetë objektivi i radhës. Zëdhënësi i Ministrisë turke të Mbrojtjes, Zeki Akturk, paralajmëroi se Izraeli po zgjeron “sulmet e tij të pamatura” dhe po e çon gjithë rajonin në katastrofë.
Marëdhëniet e tensionuara Turqi-Izrael
Marrëdhëniet mes dy vendeve janë përkeqësuar ndjeshëm, duke arritur pikën më të ulët pas sulmit të 7 tetorit 2023 nga Hamasi.
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, e ka mbështetur hapur Hamasin dhe “çështjen palestineze”, ndërsa zyrtarë të lartë të Hamasit janë vendosur në Turqi dhe e vizitojnë rregullisht atë. Izraeli e ka akuzuar Turqinë se i ka lejuar Hamasit të planifikojë sulme dhe të mbledhë fonde nga territori i saj.
Erdogan ka kritikuar ashpër Izraelin dhe kryeministrin Benjamin Netanyahu, duke e akuzuar për gjenocid dhe duke e krahasuar me Adolf Hitlerin. Izraeli, nga ana e tij, i ka hedhur poshtë të gjitha akuzat për krime lufte.
Zgjerimi i konfliktit dhe rreziku në Siri
Që nga fillimi i luftës në Gaza, Izraeli ka ndërmarrë sulme ndaj objektivave në Liban, Jemen dhe Iran. Sulmi në Katar, një aleat i afërt i SHBA-së, tregon se Izraeli është i gatshëm të ndjekë Hamasin edhe përtej kufijve. Analistët thonë se kjo tregon se “nuk ka kufij për atë që mund të bëjë qeveria izraelite”.
Ekspertët paralajmërojnë se rreziku më i madh për një përplasje mes Izraelit dhe Turqisë mund të jetë në Siri. Turqia ka mbështetur qeverinë e re të përkohshme, ndërsa Izraeli e sheh me dyshim këtë lëvizje dhe ka kryer qindra sulme ajrore kundër objektivave ushtarake atje. Pavarësisht lidhjeve të forta të Turqisë me SHBA-në, sulmi në Katar tregon se Izraeli mund të veprojë në mënyrë të njëanshme!