Si përgjigje ndaj hyrjes së dronëve rusë në hapësirën ajrore polake, NATO ka njoftuar nisjen e operacionit “Eastern Sentry”, me qëllim forcimin e mbrojtjes së krahut lindor të Aleancës. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, dhe gjenerali amerikan Alexus Grynkewich konfirmuan se kjo lëvizje vjen pas një akti të cilësuar si “të qëllimshëm dhe të papranueshëm” nga Rusia.

Forcim i mbrojtjes nga Baltiku në Mesdhe

Sipas Grynkewich, operacioni do të mbulojë një zonë të gjerë, “nga shtetet baltike deri në Detin e Zi dhe Mesdhe, përfshirë Poloninë, Rumaninë dhe Bullgarinë”. Ai theksoi se incidenti në Poloni është një çështje që ndikon në të gjithë Aleancën.

“Eastern Sentry” do të jetë fleksibël dhe do të ofrojë “më shumë parandalim dhe mbrojtje të fokusuar pikërisht kur dhe ku është e nevojshme”. Operacioni do të përfshijë integrimin e mbrojtjes ajrore dhe tokësore, si dhe rritjen e shkëmbimit të informacionit mes kombeve.

Deri më tani, në operacion do të kontribuojnë:

  • Danimarka me dy avionë F-16
  • Franca me tre avionë Rafal
  • Gjermania me katër avionë Eurofighter
  • Britania e Madhe

NATO ka tashmë mijëra trupa në Evropën Lindore, shumica në Poloni, por numri shtesë për këtë operacion nuk është specifikuar ende.

Rusia reagon me stërvitje ushtarake

Ndërsa NATO projekton vendosmërinë e saj, Rusia dhe Bjellorusia po kryejnë stërvitje ushtarake 5-ditore të quajtura “Zapad” (Perëndimi). Gjatë këtyre stërvitjeve, Rusia ka praktikuar lëshimin e raketave “Kruz” mbi detin Barents. Po ashtu, janë përdorur bombardues strategjikë Tu-160 dhe sistemi raketor Iskander M. Rreth 7 mijë ushtarë, përfshirë 6 mijë bjellorusë, janë pjesë e këtyre manovrave.

Në një zhvillim të papritur, dy zyrtarë ushtarakë amerikanë u ftuan të vëzhgonin stërvitjen në Bjellorusi. Këto zhvillime vijnë në një periudhë tensionesh të paprecedenta mes Moskës dhe Perëndimit. Zëdhënësi i Kremlinit ka deklaruar më herët se “NATO është në luftë me Rusinë”, ndërsa Polonia ka aktivizuar planin e saj ushtarak “Porta e Hekurt”, duke vendosur 40 mijë trupa pranë kufijve me Bjellorusinë dhe Kaliningradin!