Një shofer kamioni rumun, Liviu Apetrei, ka rrëfyer se si ai mbrojti familjen e tij nga tre grabitës në shtëpinë e tij në Oderzo, provincën e Trevisos, Itali. Ngjarja ndodhi të enjten, më 11 shtator, rreth orës 22:00, kur ai zbuloi hajdutët në ballkonin e shtëpisë.
“Kam menduar vetëm të mbroj vajzat e mia,” tha Apetrei për mediat italiane. “Nuk mendova dy herë, e bëra për të mbrojtur familjen time.”
Apetrei dëgjoi zhurma të dyshimta dhe, kur doli në ballkon, u përball me tre persona të panjohur. Ai reagoi menjëherë, goditi njërin prej tyre dhe e rrëzoi nga ballkoni, me një lartësi rreth tre metra. Dy grabitësit e tjerë u përpoqën të iknin, por u goditën gjithashtu nga Apetrei, i cili i detyroi të largoheshin menjëherë.
Hajdutët u arratisën me një makinë të errët, ndërsa karabinierët, të thirrur menjëherë nga Apetrei, nuk arritën të gjenin gjurmët e tyre. Hetimet janë duke u zhvilluar për të zbardhur ngjarjen dhe për të parë nëse ky rast ka lidhje me një tjetër tentativë grabitjeje të raportuar në një zonë tjetër, disa orë më parë!