Si kurrë më parë në historinë e demokracisë 35-vjeçare të Shqipërisë, kryeministri Edi Rama do ta udhëheqë vendin tonë drejt 4 mandateve radhazi, ku objektivi kryesor është anëtarësimi në Bashkimin Europian.
Konfirmime në detyrë, emra të rinj por edhe një ministër i Inteligjencës Artificiale ishin risitë e kabinetit të ri qeveritar ku Rama do të nisë punën për të mbajtur premtimet e cituara gjatë fushatës për mandatin e katërt.
Kush janë premtimet?
Pagat, pensionet dhe bonusi i bebes do të rriten, sipas programit të Partisë Socialiste gjatë këtij mandati. Nga viti i ardhshëm, punonjësit me pagë minimale nuk do të marrin më pak se 50 mijë lekë në muaj, ndërsa çeku i bebes do të rritet afro 8-fish.
Me nisjen e sesionit të ri parlamentar, pritet që të merren edhe vendimet e para që prekin xhepin e qytetarëve shqiptarë. Ndër vendimet e premtuara edhe më herët do të jetë rritja e pagës minimale në 50 mijë lekë, nga 40 mijë që është sot. Ky vendim do të nisë të zbatohet nga 1 janari 2026.
Për pensionistët, po përgatitet dokumenti i ri, që i hap rrugë rritjes së pensioneve dhe përfitimeve më të drejta. Ky dokument, i cili po përgatitet në bashkëpunim me Bankën Botërore, synon që deri në vitin 2029 të rrisë pensionin minimal në 20 mijë lekë dhe ta cojë pensionin mesatar në 40 mijë lekë.
Një tjetër vendim me qasje sociale lidhet me nxitjen e lindshmërisë, ku prej 6 vitesh aplikohet bonusi i bebes, por që nuk ka dhënë efekte pozitive në demografi.
Për foshnjat e lindura, nga janari 2026, bonusi do të rritet për fëmijën e parë nga 40 mijë lekë në 300 mijë lekë, ndërsa një përshkallëzim i ngjashëm do të prekë edhe fëmijën e dytë e të tretë. Për këta të fundit, bonusi i plotë do të jetë 420 mijë dhe 600 mijë lekë. Shuma nuk do të dhurohet në një çek të vetëm, por do të jetë e përmujashme, deri kur fëmija të mbushë 5 vjeç!