Deputeti i partisë “E Majta”, Sashko Jançev, është arrestuar pasi ishte i përfshirë në një aksident të rëndë trafiku në Shkup, ku dy të mitur kanë mbetur të plagosur rëndë.
Aksidenti ndodhi 50 minuta pas mesnate në fshatin Marino. Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, automjeti “Hyundai Tucson” i drejtuar nga 36-vjeçari Jançev, u përplas me një motor të drejtuar nga një 16-vjeçar, në shoqëri të një pasagjere 13-vjeçare. Si djali ashtu edhe vajza kanë pësuar lëndime të rënda trupore dhe janë dërguar menjëherë për mjekim në Kompleksin e Klinikave “Nëna Terezë”.
Jançev dhe pasagjeri i tij 25-vjeçar gjithashtu pësuan lëndime të lehta. Pas ekspertizës së kryer nga policia dhe me urdhër të prokurorit publik, deputeti u arrestua rreth orës 04:00 të mëngjesit. Ai dyshohet për dy vepra penale: “rrezikim i sigurisë së trafikut” dhe “vepra të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në trafik”.
Ministria e Brendshme bëri të ditur se pas dokumentimit të plotë të rastit, do të pasohet kallëzimi përkatës penal!