Akademia e Shkencave të Shqipërisë ka njoftuar me trishtim ndarjen nga jeta të gjuhëtares së shquar, Prof. Dr. Hëna Pasho, e cila ndërroi jetë në moshën 84-vjeçare.

Hëna Pasho lindi në vitin 1941 në Përmet dhe pas studimeve të shkëlqyera në Universitetin e Tiranës, ajo nisi një karrierë të gjatë dhe të suksesshme në fushën e gjuhësisë. Që nga viti 1972, ajo punoi në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë, duke u bërë një nga studiueset më të spikatura në albanologji dhe gruaja e vetme që mbante titullin “Profesor” në këtë institucion.

Ajo pati fatin të punonte me figura të rëndësishme si Eqrem ÇabejMahir Domi, dhe Androkli Kostallari. Puna e saj u përqendrua kryesisht në terminografinë dhe terminologjinë e shkencave shoqërore, duke kontribuar në hartimin e 12 fjalorëve terminologjikë normues.

Edhe pas daljes në pension, kontributi i saj nuk u ndërpre. Ajo vazhdoi të bashkëpunonte me Institutin e Gjuhësisë dhe dha një ndihmesë të çmuar në pasurimin e Korpusit elektronik për Fjalorin e Madh të Gjuhës Shqipe, si dhe mori pjesë në projekte ndërkombëtare.

Për kontributet e saj të jashtëzakonshme, Hëna Pasho është nderuar me Urdhrin “Naim Frashëri” të klasit III dhe me Medaljen “Për shërbime të shquara shtetërore dhe shoqërore”.