Vranë dhe groposën babain: Kërkohet burg përjetë për djalin, për motrën 30 vite!


Prokuroria e Durrësit ka kërkuar dënimin me burgim të përjetshëm për Hysen Metën, i akuzuar për vrasjen e babait të tij, Pëllumb Meta, ngjarje që ndodhi në Shënavlash të Durrësit, më 12 shkurt 2024.

Sipas hetimeve, 56-vjeçari u vra brenda banesës nga i biri Hyseni, me tre plumba në kokë dhe trup, ndërsa e bija Hygerta Meta ishte e pranishme në momentin e krimit. Prokuroria akuzon motër e vëlla për vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare, fshehje dhe asgjësim të kufomës, si dhe armëmbajtje pa leje në rastin e Hysenit.

Për Hygerta Metën është kërkuar 30 vite burgim, ndërsa për djalin tjetër të familjes, Amarildo Meta, është kërkuar një dënim me 5 vite burg për përfshirje në fshehjen e krimit. Edhe nëna e tyre, Blerina Meta, përballet me një kërkesë për 3 vite burg, për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.

Hetimet zbuluan se pas vrasjes, motra dhe vëllai fshehën gjurmët e krimit: zhdukën armën, pastruan vendin e ngjarjes, struktuan vrimat e plumbave në mur, dhe më pas groposën trupin e babait në kasollen e bagëtive, disa metra larg shtëpisë.

Për të krijuar alibi, Hysen Meta paraqiti kallëzim në polici, duke pretenduar se i ati ishte larguar nga banesa në mënyrë të pashpjegueshme. Por deklaratat kontradiktore dhe sjelljet e dyshimta çuan në nisjen e një hetimi të thelluar, që zbardhi të vërtetën pas disa ditësh.

Në gjyq, Hygerta Meta ka pranuar se krimi u krye nga vëllai i saj, por Prokuroria pretendon se vrasja ishte e planifikuar dhe se të dy fëmijët morën pjesë aktive në ekzekutimin dhe fshehjen e të atit.

Dosja pritet të shqyrtohet në vijim për vendimin përfundimtar të trupit gjykues!

PUBLIKUAR NGA JOQ ALBANIA!
Previous Post Next Post