
Spartak Ngjela Ngjela ka dhënë lajmin e trishtë, se ish-kryeministri dhe lideri historik i PS, Fatos Nano, ka ndërruar jetë.
"Tani sapo e mora lajmin se ka ndërrur jetë
kryeministri Fatos Nano.
E theksoj me dhimbje të thellë; sepse Ai ishte dhe mbeti një individ i kulturuar: një profesionist i nivelit të lartë në ekonominë shkencore, dhe sigurisht që sot Ai është kryeministri më human, me atdhedashës dhe politikani që, me një optikë perëndimore, diti ta shkëpuste Partinë e Punës të Shqipërisë, një parti terroriste, për ta iluminuar atë e për ta kthyer realisht në një parti socialiste të nivelit të Evropës Perëndimore.
Prandaj Fatos Nano do të mbetet një figurë e lartë historike në Shqipëri, sepse sigurisht që, me intelektin e tij të lartë, me humanizmin e tij, e solli politikën dhe qeverisjen shqiptare tek modeli human dhe paqësor perëndimor, pa hakmarrje dhe pa asnjë kompleks kundrejt kundërshtarëve të tij politik, të cilët e kishin burgosur pa prova dhe arbitrarisht.
Sigurisht që duhet thënë se Nano ishte dhe do të mbetet rasti i madh historik në Historinë e Shqipërisë, si përçuesi më i iluminuar i krijimit të një partie oksidentale, dhe të Shqipërisë që Ai, në vitin 1997, e shpëtoi nga gjakderdhja dhe nga ndjenja e hakmarrjes, pavarësisht se vetë Ai po dilte nga një burgim me karrakter terrorist të kundërshtarit të tij politik.
Le të jetë gjithmonë e ndritur figura humaniste e kryeministrit Fatos Nano, i cili na dha më në fund në historinë e pasluftës në Shqipëri, figurën më humaniste dhe më perëndimore të një kryeministri shqiptar", shkruan Ngjela!!