Kjo e enjte ka nisur me replika të forta mes kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe Lëvizjes Vetëvendosje të Albin Kurtit, në sfondin e protestës në Tiranë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Shkak u bë një deklaratë zyrtare e partisë në pushtet në Kosovë, e cila kritikoi Ramën për rolin e tij në themelimin e Gjykatës Speciale në vitin 2015, duke e cilësuar qëndrimin e sotëm të Tiranës si hipokrit.
Reagimi i kryeministrit shqiptar erdhi menjëherë, me tone të ashpra ndaj Vetëvendosjes dhe qëndrimeve të saj historike ndaj luftës dhe institucioneve të Kosovës.
Në thelb të përplasjes qëndron mbështetja për protestën “Drejtësi për Çlirimtarët”, e zhvilluar të mërkurën në Tiranë, por tensioni është thelluar për shkak të qëndrimeve të ndryshme ndaj Gjykatës Speciale dhe rolit të UÇK-së në luftën për çlirim.
“Lëvizja Vetëvendosje më paska kushtuar një çarçaf të gjatë, ku shkruan se përpara 10 vjetësh unë paskam qenë pro kurse ajo paska qenë kundër Gjykatës Speciale… Ndërkohë unë e kam denoncuar farsën ndaj Hashim Thaçit e të tjerëve kurdo e kudo ka qenë rasti a nevoja, ndërsa Lëvizja dihet se sa ka lëvizur në atë drejtim”– ka shkruar Rama.
Rama tha se ai as nuk është organizator e as folës i protestës gjithëkombëtare “Drejtësi për Çlirimtarët”, të cilën tha se e mbështet megjithë zemër e do t’i bashkohej si pjesëmarrës i thjeshtë, nëse nuk do të ishte i vetëdijshëm se çdo politizim me dashje ose jo i asaj nisme, do të dëmtonte qëllimin dhe popullaritetin e saj.
“Por unë s’jam në asnjë lloj gare me Lëvizjen dhe më vjen keq që Lëvizja i ngatërron marrëdhëniet institucionale të Kosovës me Shqipërinë në çorbën e balotazheve komunale, ndërsa për qëndrimet e para 10 vjetëve – kur ajo nuk njihte as himnin e Kosovës e jo më pafajësinë e Hashim Thaçit, të cilin do ta donte përjetësisht në Hagë – i kujtoj Lëvizjes se Gjykata Speciale u ngrit për trafikun e organeve, jo për të marrë peng Presidentin e Republikës së Kosovës”– shtoi Rama!!!
