Protesta e dytë kombëtare e Partisë Demokratike pas zgjedhjeve të 11 majit 2025 u kthye shpejt në një skenë dhune të paralajmëruar. Dy orë fjalime dhe dy orë përplasje, molotovë e sende të forta drejt Kryeministrisë dhe Kuvendit, ndërsa policia reagoi me një përdorim masiv të gazit lotsjellës dhe forcës, shpesh pa dallim mes protestuesve dhe qytetarëve të zakonshëm. Sheshi mori pamjen e një fushe beteje, pa asnjë përfitim politik real.
Përgjegjësia është e ndarë, por jo e barabartë. Opozita zgjodhi sërish rrugën e konfrontimit të dhunshëm, duke e ditur se ky skenar vetëm sa i shërben pushtetit. Ndërkohë, policia veproi si instrument i verbër i qeverisë, duke shtypur protestën me gaz dhe dhunë, në vend që të garantonte rendin dhe sigurinë. Kjo sjellje jo vetëm që cenon të drejtën për protestë, por i jep Edi Ramës alibinë perfekte për t’u fshehur pas “rendit dhe stabilitetit”.
Nëse opozita synon realisht rrëzimin e qeverisë, protesta duhet të ndryshojë rrënjësisht formë. Jo shpërthime të shkurtra dhune, por mobilizim masiv, paqësor dhe i qëndrueshëm, jo fjalime të gjata, por kërkesa konkrete dhe presion qytetar i organizuar. Qeveritë rrëzohen kur humbasin legjitimitetin shoqëror dhe politik, jo kur përballen me skena lufte që, në fund, i shërbejnë më shumë pushtetit sesa popullit!!!!
