“Skandal! Nxënësi arvanitas u ndëshkua me 40 goditje sepse foli shqip në shkollë”


HISTORI E VËRTETË: ARVANITI I VOGËL, FOLI SHQIP NË SHKOLLË DHE MORI 40 SHKOPINJ NË PËLLËMBË SI DËNIM. GJUHA SHQIPE NDALOHEJ NGA SHTETI GREK QË TË FLITEJ

“Rrahje për arvanitasit, sepse flisnin arvanitisht!”

Nga: Kosta Kazaki. (Tihero – Evros)

E mbaj mend sikur të kishte ndodhur dje, kur isha në klasën e pestë të shkollës fillore dhe mësuesja ime e dashur, zonja Lela Karajani, më dha një rol për përvjetorin e 25 Marsit.

Ishte një pjesëz me temë Sulin dhe suliotët. Unë luaja rolin e Llambro Xhavellës. Çdo ditë bënim prova, në mënyrë që t’i kuptonim plotësisht rolet. Një ditë para festës bëmë provën e fundit, ku ishin mbledhur të gjithë mësuesit e shkollës dhe ndiqnin shfaqjen. Unë, si Xhavellë, duhet të kem qenë shumë i mirë, duke gjykuar nga duartrokitjet e mësuesve.

Pasi përfunduam, vrapuam si zakonisht pa rregull drejt daljes, kur u dëgjua zëri i mësueses sime që më thërriste në zyrë, me sa duket për ndonjë punë. Iu binda menjëherë urdhrit të saj, por më parë i thirra shokët e mi në shqip (arvanitshe), që mësuesit të mos kuptonin se më pas do të shkonim të luanim futboll në lëminjtë poshtë.

Nuk arrita as të hyja në zyrë, kur me vrull hyri brenda drejtori i shkollës, edhe ai arvanitas nga fshati fqinj, i cili më kapi nga zverku dhe më tërhoqi zvarrë, – në kuptimin e plotë të fjalës, — jashtë në oborr, në mënyrë që të më shihnin të gjithë fëmijët.

Në dorë mbante një shkop prej ulliri të egër, të trashë, plot nyje, të cilin nuk do ta harroj kurrë. Pasi më nxori jashtë dhe u mblodhën të gjithë fëmijët, bërtiti me zë të lartë se duhej të ndëshkohesha në mënyrë shembullore, sepse “kisha shkelur ligjin e shtetit” dhe kisha folur shqip. Dënimin e shpalli njëkohësisht me shpalljen e fajit: dyzet goditje me shkop në duar. Njëzet e njëzet.

Vetëm ata që kanë “ngrënë” qoftë edhe një goditje shkopi ulliri të egër në pëllëmbë, mund ta kuptojnë se sa të dhemb në shpirt.

Shtrëngova dhëmbët dhe e përballova edhe goditjen e fundit!

Dhe kështu, “Lambro Xhavella” mori 40 goditje në duar “sepse foli arvanitisht”! Kush??? Xhavella! Kapedani suliot, që ishte arvanitas që nga djepi, ashtu si të gjithë suliotët!

Por këtë e fshihnin nga populli grek. E vetmja gjë që mësuam në shkollë ishte se suliotët ishin burra të frikshëm, patriotë të zjarrtë, por mbi të gjitha të krishterë besnikë. Megjithatë, nuk shkruhej askund, se ky popull ishte me gjak të pastër arbëror!!!!

Previous Post Next Post